Dy skuterë elektrikë mund të duken njësoj në foto dhe të jenë krejt të ndryshëm në rrugë. Diferenca është te specifikat, dhe disa prej tyre janë shumë më të rëndësishme se të tjerat. Ja tetë gjërat që duhet të shikoni, sipas radhës që ju rekomandojmë.
1. Autonomia: lexojeni me kujdes
Autonomia e deklaruar matet nga prodhuesi me një drejtues të lehtë, në rrugë të sheshtë, me shpejtësi të ulët dhe pa erë. Në përdorim të përditshëm prisni rreth dy të tretat e saj. Një skuter i deklaruar për 40 km ju çon zakonisht 25 deri në 30 km.
Llogaritni rrugën tuaj vajtje-ardhje dhe zgjidhni një model që e bën atë me rezervë. Nëse rruga juaj është 10 km në ditë, pothuajse çdo skuter ju mjafton. Nëse është 30 km, ju duhet diçka si Xiaomi 5 Max ose X9 ProMax.
2. Motori: nominal dhe maksimal
Në specifika do të shihni dy numra, p.sh. "400 W (800 W maks.)". I pari është fuqia që motori mban pa u lodhur, i dyti është fuqia që jep për pak sekonda kur nisni ose ngjitni një të përpjetë. Për rrugë të sheshta qyteti mjafton një motor rreth 350-400 W nominal. Nëse keni të përpjeta të forta ose peshoni mbi 90 kg, shikoni nga 500 W e lart, si DriveTron DT08 ose Kukirin G2.
3. Gomat
- Me ajër: më të buta, por mund të shpohen.
- Tubeless: të buta si ato me ajër, dhe shpimet e vogla i mbyllin vetë. Zgjedhja më praktike për qytet.
- Masive (pa ajër): nuk shpohen kurrë, por çdo gropë e ndjeni në duar.
Madhësia ka rëndësi po aq: 10" është standardi i mirë për qytet, rrota më të vogla ndjehen shumë në kalldrëm.
4. Amortizimi
Nëse rrugët tuaja nuk janë të lëmuara, amortizimi është ajo që e ndan një udhëtim të këndshëm nga një i lodhshëm. Një pirun me sustë përpara është minimumi. Amortizimi përpara dhe prapa, si te Navee S65C ose amortizimi hidraulik te Xiaomi 5 Max, e ndryshon krejt përvojën.
5. Frenat
Frenat me disk ndalojnë më fort dhe më qartë se frenat me daulle. Shumë modele kanë një frenë mekanike përpara dhe frenim elektronik (E-ABS) prapa, që rikuperon edhe pak energji. Për shpejtësi mbi 30 km/h, kërkoni disk në të dyja rrotat.
6. Mbrojtja nga uji (IP)
Kodi IP tregon sa mirë mbrohet skuteri nga pluhuri dhe uji. IPX4 përballon spërkatjet, IPX5 dhe IP55 një shi të zakonshëm. Asnjë prej tyre nuk do të thotë që mund ta lani me zorrë ose të kaloni nëpër pellgje të thella.
7. Pesha e skuterit
Nëse do ta ngjitni në shkallë ose ta futni në autobus, çdo kilogram ka rëndësi. Rreth 17-18 kg mbahet lehtë, si Ninebot E3 Pro. Mbi 25 kg është skuter që e parkoni, jo që e mbani në krah.
8. Kufiri i ngarkesës
Shumica e modeleve mbajnë deri në 100-120 kg. Zgjidhni një model ku pesha juaj, bashkë me çantën, është mirë nën kufi: skuteri do të ecë më shpejt, do të ngjitë më mirë dhe bateria do t'ju zgjasë më shumë.
Shkurt
Filloni nga rruga juaj e përditshme, pastaj nga terreni, dhe vetëm në fund nga shpejtësia maksimale. Nëse doni një mendim për rastin tuaj, na shkruani sa km bëni në ditë dhe si janë rrugët, dhe ju themi cili model ju përshtatet.